Mjalti i bletës është konsideruar si “ilaçi i ilaçeve”, një dhuratë që i është ofruar njeriut si ushqim, por edhe si një vlerë e pakrahasueshme kurative. I shfrytëzuar që në kohët e lashta si burim energjie, mjalti është i pasur me karbohidrate, burim kryesor energjie për organizmin, si dhe për të mbajtur nivel të njëjtë të glikogjenit, duke ndihmuar kështu në parandalimin e lodhjes muskulore. Sipas dietologëve, nuk ka asgjë më të mirë se sa një lugë çaji mjaltë, konsumuar me ujë apo qumësht herët në mëngjes apo në mesditë, për të marrë kështu një burim energjie. Ashtu siç ka edhe një numër relativisht të madh të “recetave popullore” të përzierjes së mjaltit me vajin e ullirit, limonin e shumë të tjera, të cilat para përdorimit është mirë të ndiqen dy këshilla:
- konsultim me mjekin për të mos patur ndonjë efekt direkt negativ ndaj ndonjë situate që kaloni;
- të mos teprohet me këto receta, sepse mund të shkaktojnë efekte anësore: populli thotë: “tepria, ka mbrekulli!”.
Mjalti mund të jetë:
- shumëlulesh (në fakt i tillë është gjithmonë), por konsiderohet i tillë kur asnjë nga lulet nuik dominon në shijen e mjaltit, ose mund të jetë
- një lulesh, kur dominon në mënyrë të dukshme një lule, si: gështenja, sherebela, trumza, akacia, etj.
Ruajtja e mjaltit nuk duhet bërë në dritën direkte të diellit sepse ai i thyen shumë prej enzimave, dhe po kështu as në dritë të drejtpërdrejtë për një kohë të gjatë. Duhet të ruhet në enë të posaçme për ruajtjen e ushqimeve, qofshin prej qelqi apo prej plastike që janë të posaçme për ruajtjen e ushqimeve (PET). Ena ku ruhet mjalti të mbyllet mirë, sepse ai i thith me lehtësi aromat e jashtme të cilat ndikojnë në aromën e tij. Mjalti duhet të ruhet në vend të freskët dhe temperatura e dhomës ku ruhet mjalti nuk duhet t’i kalojë 25°C.